Mjetet për ndërtimin e faqeve web dhe struktura e tyre

Mjetet për ndërtimin e faqeve web dhe struktura e tyre

Hyrje në web

Web ose World Wide Web (www) është një rrjet i madh me informacione online. Web-i përmban të gjitha
faqet web, fotografi, video dhe informacione të tjera online, të cilat mund të aksesohen nëpërmjet një
browser-i web, si për shembull Google Chrome. Interneti ofron mundësinë e aksesimit të www.
Një faqe web është një dokument i cili zakonisht është shkruar në HyperText Markup Language (HTML) dhe është i aksesueshëm nëpërmjet internetit duke përdorur browser-at e internetit. Një faqe web aksesohet duke vendosur adresën URL, si për shembull: www.google.com dhe mund të përmbajë tekst, grafikë dhe lidhje me faqe të tjera ose skedarë të ndryshëm.
Faqet web shërbejnë për të kërkuar informacione të ndryshme në internet, komunikimit nëpërmjet emaileve, chat-eve, blerjen e produkteve dhe pagesën e tyre online etj.
Protokolli HTTP (Hypertext Transfer Protocol) është një protokoll për transferimin e informacionit
hipermedia. Informacioni hipermedia përfshin: grafikë, audio, video, tekst dhe linke. Ky protokoll është
dizenjuar për komunikimin midis browser-ave web dhe serverave web. Një tjetër protokoll i rëndësishëm është protokolli IP (Internet Protocol). Protokolli IP është një protokoll nëpërmjet të cilit dërgohen të dhënat nga një kompjuter në një tjetër në internet. Secili kompjuter ka një adresë IP, e cila e identifikon atë nga kompjuterat e tjerë në internet, për shembull: 192.175.10.10.

 

Arkitektura web

Web-i funksionon duke u mbështetur në një arkitekturë klient-server. Serveri është mjedisi ku ndodhet faqja web. Klienti është çdo shfletues web që dërgon kërkesë te ky server.
Hapat që ndiqen në komunikimin klient – server janë:
1- Klienti dërgon një kërkesë në server.
2- Serveri e merr këtë kërkesë, e përpunon dhe i kthen përgjigje klientit.
3- Klienti merr përgjigjen nga serveri.
Përgjigjja që merr shfletuesi nga serveri janë rreshta kodi HTML.

Platforma komerciale për krijimin e faqeve web

Ndërtimi i faqeve web është shoqëruar me zhvillimin e shumë teknologjive. Për të realizuar ndërtimin e
një faqeje web ka disa mënyra. Përzgjedhja e tyre varet nga njohuritë që keni për ndërtimin e faqeve web.
Më poshtë po listojmë disa nga mënyrat për të ndërtuar një faqe web.

Mënyra e parë për të ndërtuar një faqe web është ta ndërtosh vetë nga fillimi. Për këtë gjë duhet të keni njohuri të domosdoshme në HTML dhe CSS. Në qoftë se dëshironi të ndërtoni një faqe dinamike, do të duhet të keni njohuri, në të paktën, në një nga gjuhët: PHP, ASP, Java, JavaScript etj.
Qëllimi është që të zgjidhni një nga gjuhët ku ju keni më shumë njohuri, në mënyrë që faqja juaj web të
realizojë funksionalitetet e pritshme për të cilat është krijuar ose po e krijoni. Zakonisht, për të ndërtuar
faqet në këtë mënyrë përdoren programet e përpunimit të tekstit, si Notepad++.
Ndërtimi i faqeve web nga fillimi kërkon më shumë kohë se çdo mënyrë tjetër e zgjedhur.

Mënyra e dytë është përdorimi i programeve që ndihmojnë në dizenjimin dhe ndërtimin e faqeve web.
Disa nga programet më popullore janë: Dreamweaver, FrontPage, Wxpression Web 2, CoffeeCup, Web Easy Professional, NVU, Easy Web Editor, WYSIWYG Web Builder, Web Studio. Këto programe përdorin teknikën WYSIWYG dhe njihen si përpunues të kodit HTML. Lehtësia që ofrojnë këto programe është se realizojnë në mënyrë automatike shkrimin e sintaksës për shumë gjuhë programuese.

Mënyra e tretë është ndërtimi i faqeve web duke përdorur “Sisteme për Menaxhimin e Përmbajtjes”, të njohura si CMS (Content Management System). Lehtësia që ofron përdorimi i CMS-ve është përdorimi i shablloneve (template). Shabllonet janë faqe web të gatshme, të ndërtuara dhe dizenjuara për një CMS specifike. Shabllonet janë të ndërtuara nga zhvillues profesionistë dhe janë të shkarkueshme nga interneti.
Ato mund jenë me pagesë ose pa pagesë. Elementet që do të duhet të ndryshojmë pasi të kemi instaluar
shabllonin janë: logo, banner, tekstet dhe linket. Në tabelën e mëposhtme janë listuar CMS-të më popullore.

Mënyra e katërt është përdorimi i platformave online. Në këto platforma do t’ju duhet të regjistroheni.
Ndërtimi i faqeve web në këto platforma është me pagesë ose pa pagesë. Disa nga platformat më popullore që ju mundësojnë krijimin e faqeve web shpejt dhe thjeshtë janë: Google Sites (https://sites.google.com), www.wix.com etj.


Burimi i lajmit: portali.irisoft.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *